Ky është gjeniu 15 vjeçar i matematikës nga Kosova

Ai është 15 vjeçar dhe kohën më të madhe e kalon në bibliotekën e shkollës. Është i pasionuar pas lëndës së matematikës, madje nuk ka kalkulim që nuk mund ta zgjidhë.

Fjala është për Erblin Avdiu nga qyteti i Ferizajt, i cili thotë se çdo përllogaritje që e bën në jetë, e bën përmes numrave.

“Më pëlqen shumë e gjithë matemartika pa ndarë në Algjebër, Gjeometri, Trigonometri etj. Nëse bëjmë një krahasim me lemitë tjera, mund të shohim se matematikën e karakterizon forma abstrakte e numrave… I gjithë universi funksionon nga ligjet matematikore”, shprehet Erblin Avdiu për RTV Dukagjinin.

Ai nuk është i shkathët vetëm në lëndën e matematikës.

Erblini ka edhe një intelegjencë të lartë. Në garën e intelegjencës EUREKA, e cila është mbajtur në mars të këtij viti, ai ka zënë vendin e dytë në nivel shtetëror, ku iu nënshtruan më shumë se 2000 nxënës.

“Në Olimpiadën Matematikore të mbajtur në Prishtinë kam arritur vendin e parë. Pas saj kam marrë pjesë edhe në garën e intelegjencës “EUREKA”, ku nga 2,000 nxënës janë kualifikuar 255 finalistë. Në fund të garës kam zënë vendin e dytë”, tregon më tej Erblin Avdiu.

Mësuesi i tij i matematikës, Limon Beqiri, është krenar që ka një nxënës të tillë. Ai ka thënë se Erblini çdoherë është dalluar për dijen e tij.

“Është çudi që në klasën e gjashtë kur kam filluar mësimin me të, që në javën e parë e kam parë që e ka një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe i kam dhënë notën pesë. Nxënësit menjëherë janë befasuar në klasë. “Pse pesë kaq herët”? E shoh që ka një intelegjencë të jashtëzakonshme në krahasim me moshatarët e vet”, tha Limon Beqiri.

15 vjeçari, Erblin Avdiu, i zhytur mes numrave, dhe i buzëqeshur pas zgjidhjes së çdo problemi matematikor, ka thënë se kur të rritet dëshiron të bëhet një matematicient i dalluar.