Ky është plani i vaksinimit për Kosovën, ja detajet se kur arrijnë dozat e para

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës ka bërë një plan të vaksinimit të qytetarëve të saj për këtë vit.

Në bazë të planit të hartuar nga MSH-ja, i miratuar më pas nga Qeveria e Kosovës, planifikohen të vaksinohen 53 mijë qytetarë në fazën e parë

Me vaksinat nga Astra Zeneca është planifikuar që të vaksinohen të gjithë punëtorët shëndetësor që janë 13 mijë e 500. Për këtë kategori janë ndarë 28 mijë e 500 vaksina, duke e pasë parasysh edhe numrin e nevojshëm të dozave përfshirë edhe humbjet, shkruan Front Online.

Në bazë të këtij plani, do të vaksinohen edhe 1 mijë e 249 banorë në shtëpitë e pleqve dhe punëtorët social.

Janë diku rreth 33 mijë persona që do të vaksinohen mbi moshën 80 vjeç.

Msh-ja ka paraparë që në planin e saj të vaksinojë në fazën e parë edhe një pjesë të personave me sëmundje kronike, diku 5251 veta.

Në planin e hartuar nga MSH-ja është menduar që 17 për qind e popullatës të vaksinohet deri në fund të këtij viti me 646 mijë vaksina nga Astra Zeneca.

133 mijë e 348 vaksina do të ndahen për grup moshat 65 deri në 79 vjeç.

125 mijë e 439 për një pjesë të mbetur të personave më sëmundje kronike.

33 mijë e 310 për mësimdhënësit dhe 3 mijë e 903 për forcat e sigurisë.

I gjithë procesi i vaksinimit në fazën e parë dhe të dytën do të bëhet me vaksinat e Astra Zenecas të cilat i dhurohen Kosovës.

Por, Ministria e Shëndetësisë në planin e saj ka paraparë edhe 3 skenarë për pjesën tjetër të vaksinimit të qytetarëve, dhe ky plan i saj është miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Në skenarin e parë, parashihet vaksinimi i 50 për qind i popullatës me vetëfinancim nga Qeveria e Kosovës, ku përfshihen 1,913,200 vaksina të Astra Zenecas me kosto 5,147,157 dollarë.

Në skenarin e dytë, parashihet 50 për qind e popullatës me vetëfinancim nga Qeveria ku përfshihen 1,913,200 vaksina të kompanisë Moderna, me kosto 42,305,400 dollarë.

Në skenarin e tretë, parashihet vaksinimi i popullatës me vetëfinancim , ku parashihet të blihen 1,913,200 vaksina nga Pfizer/Biontech, me kosto 34,549,410 dollarë.

Kosova deri më sot, ende nuk ka porositur zyrtarisht asnjë vaksinë në kompanitë e prodhimit të vaksinave./Front Online/