Ky është propozimi i LDK-së për ministër të Punëve të Brendshme, thellohet ndarja LDK – VV

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka propozuar Besnik Berishën, avokatin e Isa Mustafës, për Ministër të Punëve të Brendshme dhe kjo ka thelluar edhe më shumë mosmarrëveshjet me Vetëvendosjen, sa i përket koalicionit të mundshëm.

Burime të Gazetës Metro brenda të dy partive, LDK dhe VV, bëjnë të ditur se avokati i Mustafës, është propozimi kryesor për Ministrinë e Brendshme.

Kjo, me gjasë nuk i ka pëlqyer Vetëvendosjes, të cilët po kërkojnë një kandidat tjetër.

Metro lidhur me këtë rast, ka provuar të kontaktojë zyrën e avokatit Besnik Berisha, sidoqoftë, ai nuk ka qenë i çasshëm tani.

Ndërkaq, mosmarrëveshja rreth kandidatitpër Ministër të Brendshëm shënon kështu edhe një tjetër përçarje mes dy partive të para të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ministria e Brendshme, ajo e Jashtme, Kryeparlamentari dhe Presidenti, me gjasë po i duket shumë pushtet për LDK’në, Albin Kurtit dhe VV’së.

LDK e VV me t’u shpallur rezultatet, filluan bisedime intensive fillimisht përmes ekipeve negociatore, e më pas edhe përmes liderëve, Isa Mustafa e LDK, por, deri tani nuk është arritur një marrëveshje pasi që siç dihet, mosmarrëveshja e tyre kryesore qëndron tek posti i Presidentit.

Këtë, LDK po e dëshiron me çdo kusht, duke thënë se kandidati për Kryetar të vendit duhet të vjen nga kjo parti, ndërsa, VV në anën tjetër, po kërkon një kandidat konsensual.