Lajçak diskuton me Vuçiqin për dialogun Kosovë – Serbi

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka diskutuar sot me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në lidhje me vazhdimin e procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, njofton KP-ja.

Në një postim në Twitter, ai ka bërë të ditur se pjesë e diskutimeve ishin edhe ndihmat, reagimi ndaj COVID-19 dhe ekonomia.

“Si pjesë e kontakteve të mia me udhëheqësit politikë të Ballkanit, sot bisedova me presidentin Aleksandar Vuçiq. Patëm bisedë të mirë dhe konstruktive, duke filluar nga dialogu, ndihmat e reagimi ndaj COVID-19 dhe ekonomia. Mezi pres të punoj së bashku me partnerët e mi për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Lajçak.

Lajçak më herët ka shkëmbyer letra me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Kurti në letrën e tij drejtuar diplomatit sllovak ka përmendur edhe obligimin e tij kushtetues që të udhëheqë procesin e dialogut dhe planin e tij për krijimin e një ekipi negociues, ku sipas tij, do të duhej të ishin edhe presidenti Hashim Thaçi, kryetarja në detyrë e Kuvendit Vjosa Osmani dhe përfaqësues të të gjitha subjekteve politike në Kosovë.