Lajçak flet për propozimin e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka folur për refuzimin e propozimit të Quint-it nga Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Ai ka thënë se ka pasur një përpjekje të udhëhequr nga Quint-i dhe me përfshirje aktive të Bashkimit Evropian për gati dy muaj për të gjetur një formulë që do t’i akomodonte ndjeshmëritë e të dyja palëve.

“Por, në fund, propozimi i Quint-it nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës. Pra, nuk ka marrëveshje dhe nuk do të ketë zgjedhje [serbe] në territorin e Kosovës”.

“Propozimi ka sugjeruar që kanali i vetëm zyrtar i komunikimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, përkatësisht oficerët ndërlidhës, të përdoren për të përcjellë kërkesën e Serbisë [për zgjedhjet] tek autoritetet e Kosovës. Por, kjo nuk është parë si një gjë e kënaqshme ose e mjaftueshme nga Qeveria e Kosovës, e cila ka kërkuar komunikim të drejtpërdrejtë midis qeverive. Por, siç e thashë, ka ndjeshmëri te të dyja palët”.

“Zyrat ndërlidhëse janë i vetmi kanal komunikimi që ekziston mes dy qeverive. Nëse do të kishim komunikim normal ndërshtetëror midis Serbisë dhe Kosovës, atëherë nuk do të kishte nevojë për dialog. Dialogu zhvillohet për t’i normalizuar marrëdhëniet. Andaj, Quint-i ka bërë përpjekje t’i adresojë ndjeshmëritë, por, për fat të keq, nuk ka funksionuar”, ka thënë Lajçak në një intervistë për REL.