Lajçak i bie “pishman”: Ndryshimin e Kushtetutave s’e shoh si zgjidhje për një marrëveshje Kosovë-Serbi

Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak muaj më parë kishte thënë se Kushtetuta e Kosovës duhet ndryshuar për Asociaconin pasi që ajo nuk është bibël.

Mirëpo tash duket se i ka rënë “pishman” për deklaratën që kishte bërë.

Lajçak tani thotë se nuk e sheh ndryshimin e kushtetutave si zgjidhje për një marrëveshje mes dy vendeve.

“Nuk them se e shoh ndryshmin e kushtetutave si zgjidhje. Si ndërmjetësues, nuk më përket mua që t’u them Kosovës dhe Serbisë që ta bëjnë këtë. Për të gjetur gjuhë të përbashkët të nevojshme në mënyrë që të dy palët të fitojnë pak për njerëzit e tyre është ajo që po e bëjmë në tavolinën e bisedimeve”.

Tutje ai thotë se pasi që vendet të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, rregullimet e nevojshme ligjore kanë të ngjarë të jenë të nevojshme që të përfshihen në nivel kushtetutes.

“Sidoqoftë, pasi që vendet të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare, rregullimet e nevojshme ligjore ka të ngjarë që të jetë të nevojshme që të përfshihen në nivel kushtetues, në mënyrë që të integrohet ajo për të cilën është gjetur pajtueshmëria dhe është nënshkruar sipas rendit të brendshëm ligjor. Kjo vlen si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Për më tepër, marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme për normalizim të marrëdhënieve në mes të dyja palëve do të jetë një marrëveshje monumentale”, tha Lajçak për Klan Kosovën.

“Është thënë qartë se ajo që është premtuar duhet të realizohet, përfshirë Asociacionin. Është e logjikshme që të ndryshojë Kushtetuta. Nuk ka thënë askush se nuk guxon të ndodh. Kushtetuta nuk është Bibël”, kishte thënë Lajçak në tetor të këtij viti.