Lajçak mesazh Kurtit para largimit nga Prishtina: Bashkimi Evropian pret vazhdimin e dialogut

Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak para nisjes për në Serbi ka takuar ambasadorët e vendeve të BE-së në Kosovë.

Me anë të një postimi në Twitter, Lajçak ka thënë se me ambasadorët ka pajtueshmëri se dialogu ka një rëndësi jetike për Kosovën dhe për Serbinë, si dhe aspiratat e tyre në rrugën evropiane.

Lajçak ka dërguar porosi të qartë tek kryeministri në ardhje, Albin Kurti, se BE pret vazhdimin e dialogut.

“Para se të largohesha nga Prishtina sot, unë informova Shtetet Anëtare të BE-së për vizitën time. Ne ramë dakord që Dialogu është i një rëndësie thelbësore për aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe BE pret vazhdimin e tij”, ka shkruar ai.