Lajçak pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin: Presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të dialogut

I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se së bashku me 4 diplomatët e tjerë perëndimorë kanë zhvilluar diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në platformën X, ai ka bërë të ditur se gjatë takimeve ka theksuar se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit duhet të hetohet plotësisht, raporton Klan Kosova.

“Udhëtuam për diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ne theksuam se 24/9 duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm. Ne presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut”, ka shkruar Lajçak.