Lajçak për asociacionin: Nuk do të ketë Republikë Serbe të dytë

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se Kosova ka zbatuar shumicën e marrëveshjeve të nënshkruara në dialog, por se sipas tij, janë edhe disa që nuk janë zbatuar, ndër të cilën e përmendi asociacionin.

“Kosova është palë e barabartë në dialog, që nënkupton se asgjë nuk mund të imponohet Kosovën pa dakordimin e Kosovës. Unë dëgjoj shpesh shprehjen se nuk duam një Republikë të dytë serbe në Kosovë, askush nuk e dëshiron këtë”, u shpreh Lajçak, transmeton Klankosova.tv.

“Ka një parim universal që thotë se ato që janë dakorduar duhet të zbatohen. Keni zbatuar shumë prej tyre, por ka diçka që nuk e keni zbatuar, si për shembull asociacionin”, shtoi tutje ai.

“Por pse të mos e ndryshojmë narrativën, në vend se të themi çka nuk duam, pse të mos themi çka duam”.

“Këshilla ime është mos u frikësoni nga diçka që nuk ekziston, nuk ka arsye të frikësoheni nga një proces që ju jeni bashkëpronarë me Serbinë”.