Lajm i mirë nga Malisheva, sot asnjë i dyshuar për koronavirus

Që nga fillimi i marsit, Kosova ashtu si çdo shtet tjetër në botë po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Deri tani janë prekur gjithsej 15 komuna në tërë vendin, ndërsa Malisheva është komuna që ka numrin më të madh të të infektuarve me koronavirus.

Deri tani janë shënuar 33 raste me koronavirus në këtë komunë.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Liridon Hoti, në një bisedë për Periskopin deklaron se vetëm 6 pacientë janë duke u trajtuar në Infektivë ndërsa të tjerët janë vetizoluar në shtëpi.

“Fatmirësisht kemi lajmin që ata janë në gjendje shëndetësore të mirë, presim këto ditë që disa prej tyre i kanë analizat e fundit, që kanë shkuar që në ditën e parë të përhapjes së koronavirusit, presim sot ose nesër të iu dalin rezultatet. Shpresojmë që të lirohen edhe ata nga infektiva. Për momentin i kemi 6 persona duke u trajtuar në Infektivë, ndërkaq të tjerët janë duke qëndruar në shtëpi’’ tha Hoti.

Tutje, thekson se sot ende nuk është nisur asnjë mostër për tu testuar për koronavirus.

‘’Sot ende nuk kemi nisur asnjë mostër, ndërkaq, dje I kemi pasur tre persona që janë testuar, ku njëri nga ta doli me koronavirus’’, përfundon Hoti.

Kujtojmë se këtë të diel, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar edhe tri raste të reja me koronavirus në vendin tonë, duke çuar kështu numrin me Covid-19 në 94.

Malisheva ka 33 raste, Gjilani 15 raste, Prishtina 14, Vitia 7 raste, 6 komuna e Vushtrrisë, 6 raste nga Gjakova, katër nga Podujeva, kurse nga një rast kanë Klina, Prizreni, Obiliqi, Lipjani , Suhareka dhe Shtimja.