Lajm i mirë për klientët: BQK merr vendim, ja çfarë obligohen bankat nga 1 gushti

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka hartuar një rregullore përmes së cilës obligon bankat në Kosovë që të ofrojnë një llogari bazike falas për të gjithë klientët bankar.

Llogaria e pagesave me shërbime bazike u ofrohet konsumatorëve dhe individëve pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.

“Qasja në llogaritë e pagesave me shërbime bazike duhet të sigurohet nga bankat për konsumatorët, pavarësisht nga rrethanat financiare të konsumatorëve, të tilla si statusi i punësimit të tyre, niveli i të ardhurave, historia e kredisë ose falimentimi”, thuhet në njërën nga dispozitat e “Rregullores për qasjen në llogari pagese me shërbime bazike”, një kopje të së cilës e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, e kanë të rregulluar këtë çështje. Ta zëmë Shqipëria e ka të rregulluar me ligj këtë çështje.
Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektligjin “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Llogaria e pagesave me shërbime bazike iu ofrohet konsumatorëve dhe individëve rezidentë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat tregtare pa pagesë ose me tarifa të përgjysmuara, me kusht që ata të mos kenë një llogari bankare ekzistuese.

Ndërkaq, rregullorja e hartuar nga BQK-ja do të hyjë në fuqi me 1 gusht 2023.

Rregullorja specifikon se cilat shërbime mund të kryhen nëse hapni një llogari të pagesës me shërbime bazike: – shërbime që mundësojnë të gjitha operacionet e kërkuara për hapjen, operimin dhe mbylljen e në llogarie pagese; – shërbime që mundësojnë deponimin e fondeve në llogari pagese, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje; – shërbime që lejojnë tërheqjen e parave nga llogaria e pagesës, siç është përcaktuar në shtojcën 1 të kësaj rregulloreje; Si dhe ekzekutimi i transaksioneve të mëposhtme të pagesave: -debitimi direkt; – transaksionet e pagesave përmes një kartele, përfshirë pagesat në internet; – transferet e kreditit brenda bankës, duke përfshirë urdhëresat automatike, aty ku është e mundur në bankomatë (ATM), dhe në sportelet e bankës, ose përmes platformave online.