Lajmi i fundit: Ekzekutohen pagesat e para në xhirollogaritë e prindërve

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se sot kanë përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore.

Ministrja ka njoftuar poashtu se numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë.

“Sot kemi përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues”, ka thënë Nagavci.

“Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës”, ka thënë ajo.

Vetëm 75 raste janë identifikuar me gabime, ka bërë të ditur ministrja.

“Nga të gjitha këto aplikime, janë identifikuar vetëm 75 raste me gabime për të cilat prindërit do të njoftohen për rishikimet e nevojshme. Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore”, thuhet në njoftimin e saj.