Lama: Koncepti i politikës kosovare, si ai i Titos ‘Sa të jem unë pastaj s’do të ketë Jugosllavi’

Ish-gjenerali i ushtrisë shqiptare, Kudusi Lama thotë se me marshin e së dielës, qyetetarët e Kosovës treguan se politikisht qëndrojnë në nivelin e politikës evropiane.

“Pardje populli i Kosovës zbriti në shesh si qytetarë evropianë për të treguar se qëndron politikisht në nivelin e politikës evropiane dhe një hap përpara politikës së Kosovës”.

“E them për fatin se atje nuk pati asnjë lloj ngjyre partiake. Ishte populli që doli njëlloj si në kohën e ish-Jugosllavisë për të mbrojtur të drejtën e tij dhe e drejta e tij është lufta që ka zhvilluar për të ardhur në këtë ditë”, ka thënë Lama në Këndin e Debatit në Tëvë 1.

Lama ka shtuar se politika në Kosovë deri më tash nuk ka arritur ta vërë “pikën mbi i”, kur është fjala te lufta.

Madje ai shton se secili që është në pushtet në Kosovë vepron me konceptin e politikës së ish-udhëheqësit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

“Masiviteti i asaj qytetarie të djeshmne, me qetësinë më të madhe tregoi se ai është në nivel të lartë politik dhe e di ku qëndron vlera e historisë së tij. Dhe vlera qëndron pikërisht te ajo lufta që kjo politikë e Kosovës e derisotme nuk ka arritur të vërë ‘pikën mbi i’ dhe të dijë se cili është autoriteti i saj, ku qëndron themeli i autoritetit të saj”.

“Politika vendore është kthyer në politikë parcellore dhe unë më krijohet mendimi sikur këtu secili thotë sa të jem unë në pushtet, pastaj le t’i bjerë flaka Kosovës se nuk më intereson fare. Siç pat thënë Tito sa të jem unë pastaj s’do ketë Jugosllavi, le t’i bjerë flaka Jugosllavisë. Më duket se ai koncepti i Titos nuk ka ikur akoma nga politika edhe këtu në Kosovë. Dhe kjo është gjë e shëmtuar”, ka thënë ai.