Latifi: Ata që po e kritikojnë Kurtin, janë soji i njerëzve që po prisnin të shpërbleheshin me poste

Filozofi Blerim Latifi komentoi zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë përmendi kritikat drejtuar kryeministrit Kurti dhe ministrave të Qeverisë së tij.

Me anë të një postimi në Facebook, Latifi thotë se ata që dikur e lavdëronin Kurtin, e tani e kritikojnë, janë ata persona që kanë pritur të shpërblehen me poste nga ky i fundit.

Sipas tij, e njëjta gjë kishte ndodhur gjatë viteve 2007 e 2008.

Postimi i plotë:

“Ata që deri me 14 shkurt e çonin në qiell Albin Kurtin “e gjithdijshëm” dhe tani kanë filluar të hedhin vrer mbi të, ta dini se nuk janë të atillë që u dhemb zemra për këtë vend, duke parë gabimet e qeverisjes së tij. Jo, ata janë soji i njerëzve që kanë pritur të shpërblehen me poste nga Kurti për elozhet që i kanë thurur atij ndër vite, dhe kur e kanë parë se Kurti i ka harruar në ditën e shpërndarjes së posteve, i janë kthyer me kritika e akuza, të cilat nuk i pushojnë as ditën as natën.

E kam parë me sytë e mi sojin e këtyre njerëzve gjatë viteve 2007 e 2008. Llojlloj servilësh i shkonin pas Hashim Thaçit, shkruanin e shpërndanin elozhe gjithandej për të, pastaj kur Thaçi nuk ua mbushi gushën me poste e privilegje, ndërruan menjëherë fytyrën dhe filluan ta shanin poshtë e lart, ditën dhe natën.

Në këtë vend, kryesisht, njerëzit e kritikojnë pushtetin jo për atë se çfarë bën ai, por për faktin se nuk janë edhe ata pjesë e tij.

Parimet morale dhe interesi i përgjithshëm i shtetit janë gjërat e fundit për ta cilat njerëzit e lodhin mendjen e në këtë vend.

Prandaj edhe i kemi punët kështu siç i kemi, për faqe të zezë”.