Pacolli i kundërpërgjigjet ashpër Pecit

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli i është përgjigjur, ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, i cili ditë më parë, iu referua Pacollit si politikan i Kremlinit.

Pacolli në një intervistë për Indeksonline, ka thënë se pikërisht Peci ka qenë disa herë në shtëpinë e tij dhe nuk e din nëse edhe atëherë Peci ka menduar se kreu i AKR-së, është politikan i Kremlinit.

“Ai ka ardhur sigurisht për ndonjë interes që ka pas për mu. Nëse ai thotë se jam i Kremlinit, mjerisht ai qenka i mjerë ose gënjen dhe e din që është duke gënjyer. Unë s’jam i Kremlinit. Prej vitit 2004 e tutje, unë në Kosovë, kam dhuru mbi 40 milionë euro jo investu, por dhuru. Këto janë mundësi që kurrë s’mund t’i arrij, ai e din këtë. Hapësirat ku ulët në Kuvend është bërë prej donacionit tim, zyret e kryetarit e Kuvendit, ai nëse shkon te shefja e vet (presidentja) prap është donacion i mi edhe të ministrja e Jashtme”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.

Ish presidenti i Kosovës, ka folur edhe për situatën e krijuar në veri të vendit, projektin franko-gjerman, dhe mbështetjen që i ka dhënë ekipeve mbrojtëse të krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.