LDK dhe PSD i përgjigjen AAK-së për koalicion parazgjedhor!

Me dorëheqjen e qeverisë “Haradinaj” partitë politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat pritet të mbahen në shtator të këtij viti.

Derisa partia e Ramush Haradinaj, AAK shpreh vullnetin për koalicion parazgjedhor me LDK-në e Isa Mustafës dhe PSD-në e Shpend Ahmetit, këto të dyja kanë qëndrime të ndryshme.

Vullnetit të deputetit nga radhët e AAK-së Muharrem Nitaj, për koalicion me LDK-në, i është përgjigjur negativisht deputeti nga radhët e po kësaj partie Naser Rugova.

Ky i fundit i ka thënë “Gazeta Blic” se gjasat janë të vogla që LDK-ja të bëjë koalicion parazgjedhor dhe në këto rrethana synon t’i fitojë zgjedhjet si e vetme.

“Së pari Lidhja Demokratike e Kosovës mundet të shkojë e vetme në zgjedhje sepse konsiderojmë që kemi mjaft potenciale edhe politike edhe profesionale edhe personalitete të shquara që do të garojnë për parlamentin prej 110 deputetësh. Pas përfundimit të zgjedhjeve ku sipas të gjitha gjasave dhe matjeve që po bëhen do të dalim subjekti i parë dhe më pas do të ulemi me strukturat e partisë, për të marrë vendim lidhur me partnerët e koalicionit. Prandaj preferojmë ta ndërtojmë një qeveri me partitë që jemi më afër me ne në program. Konsideroj që do të ishte më demokratike, më e shëndetshme për Kosovën që opozita aktuale të jetë në qeverisjen e ardhshme”, u shpreh ai, duke përjashtuar mundësitë për koalicion me partitë në pushtet.

Ndërkaq nga PSD-ja, deputeti Sali Salihu nuk e pohoj por as mohoj bashkëpunimin me AAK-në. Ai tha se përveç PDK-së, me partië tjera janë të hapur për koalicion.

“Janë disa probleme që kanë çu deri tek rrëzimi i kësaj qeverie edhe prandaj duhet të dakordohemi në lidhje me hapat që do të ndjekim. Duhet të merremi paraprakisht për disa çështje që janë të rëndësishme që duhet të dalim nga kjo situate që është e bllokuar. Edhe me Aleancën edhe me LDK -në edhe me parti të tjera me të cilat mund të dakordohemi në aspektin programor nuk kemi diçka kundër që të bashkëpunojmë”, ka thënë ai.

Ndryshe gjatë ditës së sotme presidenti Hashim Thaçi deklaroi se nëse partitë janë të gatshme zgjedhjet do të shpallen menjëherë.

Ai pritet që brenda kësaj jave të zhvillojë një takim me krerët e partive politike për të arritur ndonjë marrëveshje për shpërbërje të Kuvendit të Kosovës dhe shkuarje në zgjedhje të parakohshme.