LDK-ja për përleshjen në Kuvend: Ditë e rëndë për historinë parlamentare

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas dhunës së sotme në seancë, duke thënë se pamje të tilla s’e kanë e s’e kanë pasur kurrë vendin në Kuvend.

Sipas LDK-së, sot ishte një ditë tjetër e rëndë në historinë parlamentare të Republikës, duke shtuar se instaluesit e dhunës në kuvend, nuk kanë të drejtë moralizuese sot.

“Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj”, thuhet në reagim.

Tutje, LDK tha se kjo parti do të vazhdojë të mbrojë dhe ushtrojë vlerat bazike demokratike në çdo sjellje të saj, brenda e jashtë sallës së kuvendit.