LDK kërkon hetime nga prokuroria, shkarkime dhe anulim të konkursit në KEK

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike, Sibel Halimi, në një konferencë për media ka kërkuar që prokuroria të filloj hetimet lidhur me punësimet që janë bërë në konkursin e hapur nëntorin e vitit të kaluar në KEK.

Ajo shtoj se edhe zyrtarët e përfshirë në procesin e rekrutimit të punëtorëve të rinj të shkarkohen.

Halimi ka shtuar se edhe komisioni vlerësues duhet të shkarkohet, transmeton Paparaci.

“LDK kërkon që ky konkurs të anulohet menjëherë e të vendoset drejtësi Shkarkim dhe suspendim i gjithë zyrtarëve në KEK edhe Komisionit Vlerësues. Si dhe ftojmë prokurorinë që të filloj një proces të menjëhershëm që të marrin masa ndaj keqpërdorimeve”, tha ajo.

Një hulumtim i Paparacit dje ka zbuluar dhjetëra punësime nepotiste dhe kriminale në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Punësimet familjare e partiake në konkursin e fundit në KEK, kanë lënë në hije të gjitha punësimet me shkelje ligjore në 20 vitet e fundit. Anëtarët e Komisionit vlerësues kanë pranuar në punë djem dhe vëllezër të tyre.

Shkelje të rënda janë bërë nga vetë anëtarët e komisionet të pranimit.

Yll Shala, një anëtar dhe aktivist i devotshëm i VV-së, që është inxhinierë në Termocentralin Kosova B ka qenë kryetar i komisionit të pranimit të një pjese të punëtorëve. Ai, ka pranuar një punë vëllanë e tij, Leotrim Shala të cilin e ka renditur të parin në listën e të punësuarve

Duke ndjekur shembullin e Yll Shalës, anëtari tjetër i Komisionit dhe aktivist i devotshëm i VV-së, Tahir Musliu, po ashtu ka punësuar djalin e tij, Fitim Musliun.

Edhe Zymer Morina, një anëtar i devotshëm i VV-së dhe anëtar i komisionit për pranimin e punëtorëve nuk ka shkuar shumë larg. Është kujdesur që t’i bëjë një vend pune djalit të tij, Fidan Morina.

Këta anëtarë të komisioneve, përveç shkeljeve etike dhe profesionale, si dhe konfliktit të pastër të interesit, kanë bërë edhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, që është e dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.