Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit të sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.
Ai ka thënë se në këtë takim, ka shprehur shqetësimet për gjendjen e krijuar në veri.
Poashtu ka thënë se ka dhënë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërinë në vend dhe për punën e Policisë së Kosovës atje.
“Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetetarë,
Pas propozimit tonë të djeshëm dhe ftesës së Kryeministrit, sot në mëngjes, së bashku me Kryetarin e PDK-së z. Krasniqi, u takuam me Kryeministrin Kurti.
Në takim, shpreha shqetësimet tona për gjendjen e krijuar në Veri. Dhashë mbështetje për shtrirjen e ligjshmërisë në vend dhe për punën e Policisë tonë atje. Në kohë si këto, uniteti ynë është esencial.
Njëkohësisht kërkova qartësime shtesë për rrugën tonë përpara, qartësime që duhet të na vijnë sa më parë. Kosova nuk e ka luksin të durojë tensionet në territorin e vet.
Kryeministrit Kurti i kërkova poashtu koordinim të plotë me aleatët tanë; në veçanti me SHBA-të dhe BE-në. Është përgjegjësi e detyrim i tij dhe Qeverisë që koordinimi të bëhet menjëherë.