LDK lidh koalicion me AAK-në në Gjilan

Dega e AAK-së në Gjilan ka bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje për koalicion me LDK-në për raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahen me 14 nëntor.

Në njoftimin e Degës së AAK-së, thuhet se pas konsultimit me të gjitha strukturat kanë marrë vendim që ta mbështesin kandidatin e LDK-së, Lutfi Haziri, për kryetar të komunës së Gjilanit.

“Pas konsultimit me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, në Gjilan, kemi marrë vendim që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të Komunës së Gjilanit të mbështesim kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri. Përmes kësaj deklarate, Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës- AAK, Dega në Gjilan konfirmon vullnetin e gjithë anëtarësisë së saj për mbështetje të fuqishme për Lutfi Haziri, për kryetar të Komunës së Gjilanit. Për Degën e AAK-së, në Gjilan, nga sot z.Haziri është kandidat edhe i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me bindjen se nga nesër do të jetë edhe Kryetar i Komunës së Gjilanit. Vota e çdo anëtari të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, Dega në Gjilan, nga sot konfirmon rreshtim të vullnetshëm të elektoratit të saj për mbështetje të plotë të z.Lutfi Haziri, i cili me datë 14 nëntor 2021, përmes verdiktit të popullit do të jetë Kryetar i Komunës së Gjilanit”, thuhet në njoftimin e tyre.