LDK paralajmëron bojkot të Kuvendit nëse nuk lejohet të formohet Komisioni Hetimor nga opozita

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kjo parti nuk do të marrë pjesë më në votimet në Kuvend, nëse opozitës nuk i lejohet formimi i Komisionit Hetimor parlamentar për çështjet energjetike.

Ai tha se s’ka më kuptim parlamentarizmi në Kosovë nëse i mohohet opozitës formimi i Komisionit Hetimor.

“Mohimi i kësaj të drejte për ne është përtej çdo limiti, si deputet mund të kolaudoj se nëse nuk formohet Komisioni Hetimor parlamentar nuk ka më kuptim që LDK të marrë pjesë në çfarëdo votimi në Kuvend. Nuk ka më kuptim që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare nëse i mohohet opozitës të formojë komision hetimor. Nëse opozitës i mohohet formimi i një komisioni hetues parlamentar nuk ka më kuptim parlamentarizmi. 40 deputetë janë kategori kushtetuese. Kjo mënyrë e të menduarit është e patolerueshme, besoj se ka njerëz brenda LVV-së që kanë me thanë që e keni gabim, unë du me besu që kryetari i Kuvendit që me u rrëzu shtylla kryesore, mbikëqyrja parlamentare. Unë deklaroj, se ne nuk do të votojmë asnjëherë në këtë Kuvend pa u formu Komisioni Hetimor”, ka thënë Gashi.

Opozita ka kërkuar që të votohet mocioni procedural për ta futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.