Haradinaj: Pavarësisht diskriminimit nga pushteti qendror, qeverisja e AAK-së në Klinë është shembull

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e shtëpisë për të moshuar në Klinë.

Haradinaj nga atje ka lavdëruar bashkëpartiakun e tij, kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj, për të cilin tha se vazhdon të jetë shembull në qeverisje.

“Kryetari Zenun Elezaj dhe qeverisja e Aleancës në Klinë po vazhdojnë të jenë shembull në qeverisje, pavarësisht diskriminimit që i bëhet nga pushteti qendror. Sot i’u bashkova kryetarit Elezaj, drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Bacaj dhe kolegëve tjerë në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e shtëpisë për të moshuar, projekt ky i financuar nga Komuna e Klinës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu ka vizituar qendrën arkeologjike të Dersnikut.

“Shtëpia për të moshuar përveç karakterit rezidencial do të shërbej edhe për qëndrim ditor ku të moshuarit do të kenë hapësirat për aktivitete ditore. Gjithashtu, bashkë vizituam qendrën arkeologjike të Dersnikut, një monument i rëndësishëm i Dardanisë antike, e cila është vlerë e madhe për trashëgiminë tonë kulturore”, ka thënë Haradinaj.