LDK: Politika e jashtme ka stagnuar, videot me Zelenskyn për t’i hedhur hi syve

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi thotë se kryeministri Albin Kurti para se të shkojë në takime të tjera, duhet të pres homologun e tij shqiptar, Edi Rama. Kështu shprehet ajo, teksa komenton vizitën e shefit të ekzekutivit në Athinë dhe mospërmendjen e Kosovës nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Deputetja e LDK-së shton se video e Kurtit teksa shtrëngon duart me të parin e Ukrainës, është sikurse videot e tjera “për t’u hedhur hi syve” ndërsa vlerëson se politika e jashtme ka stagnuar prandaj do të thërrasë në raportim ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

Krasniqi konsideron se qeveria aktuale ka dështuar në çdo aspekt dhe se po mashtron 51 për qind të qytetarëve që i besuan Lëvizjes Vetëvendosje në shkurt të vitit 2021.

“Ne jemi mësuar me videot e kësaj qeverisje, ku nuk tregojnë asgjë për punën e vet. Mundohen me disa video ‘fake’ të qesin hi syve qytetarëve. Sepse kryeministri Kurti fillimisht është dashur me prit në takim kryeministrin e Shqipërisë (Edi Rama), para se të shkojë në takime të tjera. Do të thotë ato video, ato çfarë është duke i bërë po i bën vetëm të mashtrojë 51 përqindëshin e vet. Që deri më tani është dështim në çdo subjekt të kësaj qeverie”, deklaron ajo.

Grupi punues i ngritur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pritet që edhe pak ditë të finalizojë hartimin e udhëzimit administrativ që iu mundëson qytetarëve nisjen e peticionit për largimin e kryetarëve nga komunat veriore dhe t’i hapet rrugë zgjedhjeve të reja, si pjesë e masave për depërshkallëzim të plotë të situatës në veri.

Me këtë nuk po pajtohet deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku thekson se kryetarët në veri duhet të japin dorëheqje.

“Ne gati jemi në fund të këtij muaji (gusht), presim që të dakordohen dhe të dalin haptas me një zgjidhje në pjesën veriore. Më e mira do të ishte që kryetarët aktualë që janë të japin dorëheqje, për arsye se peticioni do të bëhet shkaktar i shumë komunave të tjera. Sepse tash edhe nëpër komuna të tjera mund të nënshkruajnë dhe të shkarkojnë kryetarë që nuk është një e drejtë e mirë. Unë pres që kryetarët aktualë të japin dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje në pjesën veriore. Të ulen dhe të dakordohen me ShBA-të dhe Bashkimin Evropian”, shton ajo për KosovaPress.

Krasniqi kritikon edhe punën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të cilën thotë se do e ftojë në raportim me fillimin e sesionit vjeshtor.

“Unë kërkoj që tashmë kur të nis sesioni vjeshtor që ministrja e Punëve të Jashtme të vijë dhe të raportojë në Komisionin për Integrim Evropian. Të tregojë se si për tri vite nuk ka pasur asnjë lobim, asnjë njohje nga organizata ndërkombëtare dhe asnjë njohje nga vendet të cilat ende nuk e njohin Kosovën, por vetëm kemi pasur stagnim. Kemi pasur sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vend se të vijnë dhe të raportojnë për progres ne kemi pasur vetëm regres në këtë qeverisje”, deklaron ajo.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi konsideron se nuk ka pasur transparencë në procesin e dialogut dhe as për marrëveshjen e arritur në Bratislavë.

“Para se të përfundojë sesioni kemi pasur takimin e fundit ku është ftuar zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi në komision të vijë të raportojë për marrëveshjen e Bratislavës. Po i njëjti zëvendëskryeministër nuk ka ardhur të raportojë. Unë pres që të vijë të raportojë edhe në Kuvend edhe në komision. Të na tregojë hollësisht në lidhje me atë marrëveshje. Jo ata marrëveshje t’i dëgjojmë përmes mediave, siç i kemi dëgjuar deri më tani. Do të thotë nuk ka pasur aspak transparencë sa i përket pjesës veriore, pjesës së dialogut nga kjo qeveri”, përfundon ajo.

Në Bratislavë të Sllovakisë, në fillim të muajit korrik, kryenegociatori Besnik Bislimi bëri të ditur se është pajtuar me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Ky dakordim përcakton hapat për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës./Kosovapress/.