LDK: Qeveria Kurti shkeli disa herë Kushtetutën, ministrja Nagavci të japë dorëheqje

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Abërie Nagavci, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin është hedhur poshtë vendimi i Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, thotë se ministrja Nagavci nuk po e merr si të plotfuqishëm vendimin e Kushtetueses dhe të japë dorëheqje, njofton Klankosova.tv.

“Ky vendim përpos që është jo kushtetues tregon se si qeveria aktuale e ka përdorur arsimin për përfitime elektorale, ua kujtojmë se ky vendim ishte marrë pikërisht në kohë fushate të zgjedhjeve të kaluara lokale, shqetësuese është se si kjo qeveri nuk i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku Nagavci dje deklaroi se do e rishikon vendimin duke mos e marrë këtë si të plotfuqishëm dhe të japë dorëheqje”.

“Ministrja ka harruar se Gjykata Kushtetuese është ajo që analizon vendimet e Qeverisë dhe jo qeveria ato të Gjykatës Kushtetuese. Kjo ministre nuk mund të udhëheq arsimin ku edukohen gjeneratat e ardhshme, ajo nuk është shembull i mirë“.

Sipas saj, Ministrja Nagavci edhe për shkaqe etike e morale ishte dashur të jap dorëheqje qysh dje.

“Kjo ministre nuk mund të udhëheqë arsimin ku edukohen gjeneratat e ardhshme”.

“LDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci, një për të ndaluar krijimin e precedentëve dhe të mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese nga institucionet e vendit dhe dy për të ndaluar ndërhyrjen e pushtetit qendror në qeverisjen lokale“, tha Lushaku-Sadriu.

Ndërsa anëtari tjetër i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, thotë se Qeveria Kurti ka shkelur disa herë Kushtetutën e vendit.

“Ne si subjekt kemi dhënë shembullin e të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në secilin rast, prandaj edhe do të vazhdojmë gjithnjë të respektojmë vendimet e saj. Megjithatë, Qeveria Kurti në këtë një vit ka arritur që të shkelë disa herë Kushtetutën e Kosovës e vërtetuar kjo me aktgjykime të plotë fuqishme të Gjykatës Kushtetuese”.

“Rasti i parë ishe me Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil të Kosovës e rasti më i freskët për këtë është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilën u vërtetuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka shkelur Kushtetutën e vendit”, tha ai.