LDK: Qeveria urgjentisht ta pezullojë vendimin për dyfishim të çmimit të tatimit në pronë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta pezullojë vendimin për rritjen e çmimit të tatimeve, i cili erdhi si pasojë e rritjes së vlerësimit të pronave.

LDK thotë se ky është një veprim i papërgjegjshëm në një kohë me inflacion të lartë.

“Qeveria e paaftë ka filluar vitin e ri edhe me një rritje të ngarkesës tatimore për qytetarët e Kosovës. Kjo është edhe një godite tjetër ndaj papërballueshmërisë në kohën kur kosto e rritjes së çmimeve dhe kosto e jetesës ka arritur nivele rekorde në vend. Për shkak të rritjes së barrës tatimore – si rezultat i rritjes së vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave – qytetarët e Kosovës kanë filluar të pranojnë faturat e tatimit në pronë me rritje deri në dyfishim. Kjo ngarkesë shtesë, në kohë të krizës së çmimeve, është e papranueshme dhe e patolerueshme. Vendimet e Ministrisë pa koordinim, janë papërgjegjësi”, ka thënë LDK.

Kjo parti thotë se me këtë shkallë enorme të inflacionit, në mungesë të rritjes së ardhurave, në rëndesë ekonomike, kjo politikë e Qeverisë na shpërfaqet si një tjetër dështim i madh.

“Në kohë të papërballueshmërisë, ky është një veprim tjetër i papërgjegjshëm i pushtetit që tashmë veçse është larguar nga qytetari. LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të rishikojë të gjitha mundësitë ligjore për të pezulluar rivlerësimin e tatimit në pronë për vitin 2023, duke mos lejuar rritjen e ngarkesës tatimore në pronë për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu, Ministria e Financave sa më shpejtë ta dërgojë ligjin e ri për tatimin në pronë në Kuvend në mënyrë që t’iu mundësohet komunave ulja e pragut të normës tatimore.