Zyrtari i LDK-së zbulon më të rejat e koalicionit me VV-në

Kryetari i Istogut dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova në një prononcim ka thënë se është optimist se deri të enjten do të arrihet marrëveshje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, sepse nuk ka zgjidhje tjetër dhe se partitë që deri tani ishin në opozitë janë votuar që të vijnë në pushtet.

Rugova më tej ka shtuar se beson dhe është shumë e rëndësishme që të ketë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja, por ka thënë se pozita e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe të presidentit duhet të jenë pjesë e marrëveshjes sepse zgjidhen nga Kuvendi.

“Besoj se duhet të ketë marrëveshje para të enjtes. Është e rëndësishme të ketë marrëveshje sepse institucionet e Kosovës duhet të formohen dhe të funksionojnë.

Unë kam thënë edhe më herët se të gjitha funksionet e larta shtetërore, si kryeministri, kryeparlamentari, presidenti si funksione duhet të jenë pjesë e marrëveshjes sepse janë organe që votohen nga kuvendi”, tha Rugova.

Sipas tij, ka spekulime rreth mosmarrëveshjeve për emrin rreth postit të presidentit, por ai tha se kjo nuk lidhet me emra por me pozitën.

“Jam pro marrëveshjes sepse s’ka aleanca tjera… Subjektet politike që kanë qenë në opozitë duhet të vijnë në pushtet”, tha anëtari i Kryesisë së LDK-së.

I pyetur se çka nëse deri të enjten nuk ka marrëveshje dhe a mund të shkohet në zgjedhje, ai tha “Nëse është e domosdoshme dhe me çdo kusht atëherë edhe shkojmë…”.

Ndryshe, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i LVV-së, Albin Kurti kanë zhvilluar disa takime deri tani por ende nuk kanë rezultuar me marrëveshje finale.

Dy partitë kanë deklaruar se sa i përket programit qeverisës janë pajtuar mbi 90 %, por problem po mbetet marrëveshjes rreth pozitës së presidentit.

Seanca konstituive e legjislaturës së VII-të do të mbahet më 26 dhjetor, në ora 15:00.