Lëvizja Vetëvendosje ankohet në PZAP

Pas përfundimit të rinumërimit të 1407 vendvotimeve, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri tani është dorëzuar vetëm një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo është  bërë e ditur për lajmi.net, nga kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku.

Desku tha se PZAP-ja ka pranuar një ankesë nga Vetëvendosje dhe ka të bëjë me administrimin në QNR.

Ai shtoi se ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje është duke u shqyrtuar dhe pritet që së shpejti të merret vendimi.

“Deri në këto momente kemi pranuar vetëm një ankesë lidhur me administrimin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Kjo ankesë është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje. Vendimi merret së shpejti dhe me të do të njoftohen pala dhe KQZ-ja. Ankesa tjera nuk ka“, ka thënë Desku.

Ndërkohë, Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se rezultatet e rinumërimit të votave të diasporës pritet të publikohen gjatë ditës, pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar për ankesa.