Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron protesta nëse nuk bëhet Albin Kurti kryeministër

Boiken Abazi, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka paralajmëruar protesta dhe rrëzim qeverish që ndërtohet nga pushteti i vjetër. Ka thënë se deputetët e Parlamentit e kanë në dorë nëse do të votojnë për ndryshim apo për protesta dhe rrëzim qeverish.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka në dorë të marrë vendim ditën e hënë nëse vitii 2020 do jetë viti i qeverisë së ndryshimeve të qeverisë Kurti 1, apo viti ku do i shtyjë qytetarët të organizojnë protesta masive që do rrëzojnë çdo lloj qeverie të pushtetit të vjetër”, ka shkruar Abazi, në një reagim në Facebook.

Ky është paralajmërimi i parë për protesta anipse Vetëvendosje ka kohë që s’ka mbajtur organizime dhe kundërshtime të politikave. Herën e fundit kishte protestuar kundër Kryeprokurorit Aleksander Lumezi por kishte dështuar të mbledhtë shumë njerëz.

Ndërkohë, kanë mbetur edhe dy ditë prej afatit të fundit kur Albin Kurti do të shkojë në Parlament për të kërkuar votën e deputetëve për të ndërtuar Qeverinë.

Deri më tash VV dhe LDK kanë dështuar ta arrijnë marrëveshje shkaku i mospajtimeve për të ndarë pozitat shtetërore. Tash janë bllokuar te pozita e Kryetarit të Kuvendit që e ka marrë Vetëvendosje në seancën e 26 dhjetorit.