Liberalizimi i vizave – Kompanitë e autobusëve shpeshtojnë linjat, mijëra kosovarë rezervojnë biletat

Me heqjen e regjimit të vizave, është rritur edhe interesimi i qytetarëve për të lëvizur në zonën Shengen. Kësisoj, krahas udhëtimit nga Aeroporti “Adem Jashari”, kosovarët kanë zgjedhur transportin rrugor përmes autobusëve.

Vetëm në ditën e parë, kanë udhëtuar mijëra qytetarë, teksa numër i njëjtë pritet të vazhdojë edhe ditëve në vijim.

Pronari i kompanisë “Sharr Travel”, Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë për Ekonomia Online se interesimi i qytetarëve ka qenë goxha i madh. Si shkak i heqjes së vizave, ka bërë që kjo kompani të operojnë me linja të rregullta çdo ditë.

Kurtishaj ka thënë se vetëm këtë javë në “Sharr Travel”, janë bërë mbi 1 mijë rezervime të biletave për Zvicër.

“Sigurisht përveç që është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës kërkesat janë shtuar bukur shumë sa i përket javës se parë për të udhëtuar drejt Zvicrës. Përderisa në operojmë me linja të rregullta Kosovë-Zvicër-Kosovë ne nga sot kemi linja të rregullta çdo ditë, pra kemi udhëtime çdo ditë Kosovë – Zvicër. Fillimisht për javën e parë deri tash diku janë rreth një mijë qytetarë të cilët kanë bërë rezervimin e biletave kthyese qofshin bileta në drejtim të diasporës të cilët kanë ardhur për të festuar në Kosovë dhe tash po kthehen bashkë më familjarët të cilët i kanë marr me vete për t’i vizituar vendet ku ata jetojnë e punojnë për disa ditë dhe sigurisht ata do të kthehen prapë në Kosovë”, ka thënë Kurtishaj për EO, teksa është zotuar se nuk do të ketë shtrenjtim të çmimit të biletave, pavarësisht shtimit të numrit të udhëtarëve.

“Biletat kthyese janë po ato që kanë qenë tash e shtat vite dhe të them të drejtën biletat nuk parashikohen që të rrisim çmimet e biletave, pra biletat janë me çmime aktuale siç kanë qenë tash e shtatë vite, pa marr parasysh lëvizjes së çmimeve të derivateve të naftës për litër. Ne mbajmë çmimet çfarë janë aktuale dhe garantojmë qytetaret e Kosovës që ‘Sharr Travel’ nuk do të ngri çmimet e biletave në as një mënyrë. Liberalizimi i vizave për Kosovën ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve për vizita afat shkurtra, pra qoftë për vizita turistike, qoftë për vizita familjare. Sepse ata brenda periudhës 180 ditë maksimumi i qëndrimit që mund të qëndrojnë në zonën Shengen është 90 ditë, në të kundërtën do të pasojnë gjoba, ndëshkime deri në shënim në pasaportë për mos të ketë të drejt mandej që mos të futet prapë në Evropë”, u shpreh Kurtishaj.

E udhëtimi me autobusë të “Sharr Travel”, është e cilësisë më të lartë, pasi aktualisht kjo kompani është pajisur me autobusë të standardeve më të larta. Krahas udhëtimit Kosovë-Zvicër dhe anasjelltas, “Sharr Travel” mundëson edhe udhëtime për në shtetin grek.

“Për momentin ne jemi duke realizuar udhëtime Kosovë- Zvicër pesë herë në javë, me autobusë të standardeve ‘Euro 6’, për qytetaret e Kosovës është shumë e rëndësishëm që të udhëtojnë me autobus sepse çmimet janë jashtëzakonisht të lira, përveç që janë çmimet e lira, udhëtimet realizohen me autobusë të standardeve euro 6, të tipit të fundit të prodhimit. Të udhëtosh me ‘Sharr Travel’ është një kënaqësi e madhe, një siguri e madhe, një komoditet dhe mund të shohësh edhe vende të tjera të zonës Shengen ku ne kalojmë transit. Përveç kësaj ne kemi udhëtime të ndryshme duke përfshirë Selanikun, Sofian dhe shumë e shumë vende të tjera të zonës Shengen. Jemi në përgatitje të ofertave dhe të paketave të tjera në bazë të kërkesave të qytetarëve për të realizuar paketa turistike. Ne jemi kompani serioze, ne e kemi të qartë se këto viza nuk e kanë qëllim punësimin e qytetareve të Kosovës në zonën Shengen dhe ju kemi bërë të qartë qytetarëve që mund të kemi vetëm vizita turistike”, ka thënë tutje Kurtishaj.