Lidhja e koalicionit qeveritar LVV-LDK – asnjë ndryshim, asnjë risi nga e kaluara

Dështimi i djeshëm i lidhjes së koalicionit qeveritar, pra i formimit të qeverise se re na tregoi qartazi se të gjitha pretendimet e zhurma se edhe lidhja e koalicionit qeveritar mes LVV-së e LDK do të bëhet ndryshe nga e kaluara janë vetëm propagandë edhe s’ka të bëjë aspak me të vërtetën, shkruan Fokusi.info.

Fillimisht, pas zgjedhjeve, me grupet punuese u mashtrua opinioni se lidhja e koalicionit qeveritar me fitoren e LVV do të bëhet vetëm mbi baza programore dhe jo mbi bazën e “pazareve” për pozita. Por sapo filluan diskutimet për pozita, “pazari” u kthye në skenë.

Për më keq, dhe për ndryshim nga e kaluara, kur për program nuk është biseduar fare dhe vetëm janë ndarë pozitat, kësaj radhe, së paku para opinionit, është paraqitur se janë pajtuar 100 për qind për programin, por mund të prishen për pozicionet. Kjo është madje edhe më keq se sa mënyra se si janë lidhur koalicionet në të kaluarën, sepse, kur dy subjekte pajtohen në ide, koncepte apo program dhe prishen për pozita, kjo ose pajtimi ka qenë një mashtrim i madh i opinionit ose këto subjekte nuk mërziten fare për Kosovën, për gjendjen e qytetarëve e për situatën ndërkombëtare në të cilën ndodhet vendi. Kjo është kështu sepse LVV e LDK deklaruan botërisht se “e kanë formulën” e zgjidhjes së problemeve (janë pajtuar 100 për qind për programin qeverisës!), por që mund ta braktisin për shkak të pozitave!

Tani koalicioni edhe mund të arrihet, “pazari” edhe mund të kryhet, por miti se LVV-LDK janë ndryshe është varrosur dje. /Fokui.info/