Ligji për financimin e partive politike shkakton përplasje të reja mes pozitës e opozitës

Pavarësisht plotësim-ndryshimit që i është bërë Ligjit për Financimin e Partive Politike, ky Projektligj ka ngjallur mos pajtime mes partive politike, e nuk po gjen përkrahje as nga shoqëria civile.

Si i tillë, ky projektligj nuk mori miratimin as të Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Katër anëtarë votuan ‘pro’ ndryshimit të ligjit, ndërsa katër ishin ‘kundër’.

Dy partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po e përkrahin këtë projektligj.

Ata thonë se ky Projektligj është në kundërshtim me legjislacionin e BE, dhe sipas tyre ka edhe disa nene të Kushtetutës që shkelen me këtë ndryshim.

Ky projektligj pritet të dërgohet në Kuvend edhe pse nuk mori përkrahjen e Komisionit për Legjislacion, por LDK edhe LVV kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin dhe në seancë do të paraqesin vërejtjet e tyre.

Sami Kurteshi, anëtar i këtij Komisioni ka thënë për lajmi.net se ata nuk e përkrahin këtë projektligj dhe se në seancë do të paraqesin vërejtjet e tyre.

“Projektligji do të dërgohet në Kuvend, mirëpo pa përkrahjen e Komisionit për Legjislacion. Ka një varg qeshjet me të cilat ne nuk pajtohemi, njëjtë sikurse edhe shoqëria civile dhe Komisioni Evropian. Projektligji shkon në seanca dhe aty ne do t’i paraqesim vërejtjet tona. Por, projektligji si i tillë shkon në seancë pa përkrahjen e Komisionit”, ka thënë Sami Kurteshi.

Edhe Arben Gashi, anëtar i Komisionit nga radhët e LDK-së ka thënë për lajmi.net se nuk e përkrahin këtë projektligj pasi nuk i plotëson standardet.

“Ky projektligj do të shkojë në seancë pa përkrahjen e Komisionit. Ne nuk e përkrahim pasi nuk i plotëson standardet për të kaluar”, ka thënë shkurt Gashi për lajmi.net.

Po ashtu shoqëria civile thotë se refuzimi nga komisioni është në përputhje me kërkesat e tyre.

Sipas shoqërisë civile ky projektligj cenon frymën kushtetuese, zvogëlon mbikëqyrjen dhe kontrollin mbi financat e subjekteve politike, dhe e ulë transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut.

Krahas qëndrimeve të shoqërisë civile, edhe Raporti i fundit për Kosovën i Komisionit Evropian, ka ritheksuar nevojën që në Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, të reflektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias në mënyrë që të garantohet transparenca, llogaridhënia dhe zbatimi efektiv i mekanizmave ligjor mbi këtë çështje.

Kujtojmë se muaj më parë, nga zyra e kryeministrit të Kosovës, ishte iniciuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Partive Politike, me qëllim të rritjes së transparencës dhe luftimit të korrupsionit.

Përmes këtyre ndryshimeve, parashihet që të sqarohen disa nga dispozitat ligjore, me theks të veçantë të kontrollit financimit të subjekteve politike, auditimit të raporteve financiare dhe publikimi i tyre.

Në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë.