Limaj i përgjigjet PDK’së: S’ka mujtë me më ndal Serbia, e po më ndal Enver Hoxhaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i është përgjigjur nga Malisheva, kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili dje kishte bërë thirrje që të mos votohet Nisma.

Limaj ka thënë se Enver Hoxhaj është mësuar me i pas gjithmonë të gatshme dhe partinë e ka marrë të gatshme dhe do ta shihni se ku do ta dërgon, sepse ku ka shku i ka zvogëluar.

“Unë gjithmonë e kam nis tu e maru e kam zhvillu dhe e kam rritë. Dallim tjetër është se ai kurrë një beteje s’ka zhvillu as politike e për këtë tjetren, s’po flas për beteja tjera, ju e dini më mirë”, ka thënë Limaj në një takim me të rinjtë e Malishevës.

Më tutje, ai ka thënë se Enver Hoxhaj vetëm në filmat e Rambos ka pa çka është shpirti luftarak.

“Enveri nuk e din cka është përballja me jetën dhe vdekjen e ka pa në tv. I dashur Enver krejt jetën time që unë e kam rritë në këto troje është përpjekje e sakrificë, dallimi jem është se kam qenë në mesin e popullit e ju jeni kanë spektator i asaj që ka ndodhë në Kosovë”, ka shtuar Limaj.

Më tutje, lideri i Nismës ka thënë se atë s’ka mund ta ndalë Serbia e po e ndal Enver Hoxhaj.

“Edhe unë kam një apel për të gjitha familjet dhe çdo bashkëluftëtar mos e votoni Enver Hoxhajn, edhe po tregoj pse në kohën kur unë se bashku më bashkëluftëtar të mi dhe tjerë luftonim për lirinë e Kosovës, Enver Hoxhaj nga Vjena thoshte se do të kërkoj azil në Beograd, nëse UCK e fiton luftën. Prandaj i ftoj të gjithë bashkëluftëtarët e mi që të mos e e votojnë dikë i cili më dëshirë do të kërkonte azil në Beograd se sa të shihte fitoren e UÇK-së”, ka shtuar Limaj.