Limaj: Kosovarët ka rënë në kurthin e një politike mashtruese

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, thotë se në Kosovë kanë ndodhur mrekulli. Ai ka thënë se mosha institucionale e ndërtimit të shtetit, i ngjan një fëmije 15 ditor.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Limaj ka folur për ndërtimin e shtetit e transformimin e administratës shtetërore. Thotë se deri në vitin 2008, Kosova ka qenë protektorat.

Duke folur për Qeverinë aktuale, Limaj thotë se Kosova ka rënë në kurthin e një politike mashtruese, teksa thotë se Kosova po vuan nga popullizmi.

Ai ka pasur kritika edhe për mënyrën sesi është duke u qeverisur vendi, dhe për të kaluarën e krerëve të shtetit sa ishin në opozitë.

Limaj thotë se për këto vite, Kosova ka qenë e rrënuar e shkatërruar ekonomikisht.

“Së pari dua të them se ka ndodhur një mrekulli ajo që ka ndodhur prej çlirimit të Kosovës deri më tani. Mrekulli në krejt ajo çfarë është ndërtuar në këtë vend. Mos harroni, 15 vjet shtet, mosha shtetërore institucionale me moshën biologjike të njeriut është si një fëmijë 15 ditor, dhe kur e kthejmë kokën mbrapa se në çfarë gjendje ka qenë Kosova e rrënuar dhe shkatërruar institucionalisht e administrative, e shkatërruar ekonomikisht dhe me një fjalë çdo gjë ka filluar nga minusi”, thotë Limaj.

“Kur e kthejmë kokën mbrapa këto 20 vite, kanë ndodhur mrekulli në procesin e ndërtimit të vendit, është çliruar energjia e qytetarëve të Kosovës. Natyrisht pastaj brenda për brenda aktivitetit qeverisës gjithmonë ka pasur hapësirë për të bërë më mirë”, thotë ai.

Limaj, për EO ka thënë se partia në pushtet, në të kaluarën e nënçmonte transformimin e UÇK-së. Thotë se pjesëtarët e TMK-së i quanin zjarrëfiksa.

“Njerëzit harrojnë, tash shumë gjëra i marrin si të mirëqena dhe sidomos te protagonistët politikë, nuk e qajnë kokën dhe nuk e marrin mundin ta rikthejnë sesi ka ardhë deri këtu e sa vështirësi kanë kaluar. Çdo gjë që sot e shihni, e shihni si të mirëqenë. Ngritja administrative e shtetit të Kosovës. Nga 99-ta deri në vitin 2018, Kosova ka qenë një protektorat, ka qenë një luftë e marrjes së ndërtimit të kompetencave brenda vendit”, u shpreh Limaj.

Ai thotë se ka tendenca për ta zhdukur memorien e qytetarit për ndërtimin e shtetit.

“Kur është transformuar UÇK-ja në TMK, këta u thonin zjarrfikësa i përçmonin e i ofendonin. Pjesëtarët e TMK-së kanë qëndruar pa paga për dy apo tri vite, për ta ruajtur transformimin e rrugëtimin e ndërtimit të ushtrisë së Kosovës. Këta (qeveritarët), fatkeqësisht e kanë atë politikën e tyre të zhdukjes së memories historike të ndërtimit të shtetit të Kosovës, dëshirojnë ta shlyejnë memorien kolektive e institucionale, qytetarit të Kosovës, sesi kemi ardhë deri këtu”, thotë Limaj.

Sipas Limajt, Kosova ka rënë në kurthin e një politike mashtruese, teksa thotë se janë të dëmshme për shtetin. Ai thotë se ky mashtrim i Qeverisë do të vazhdojë, duke e bërë që zhgënjimi të thellohet edhe më tej. Ai konsideron se ekzekutivi nuk ka asnjë storie të suksesit.

“Është fatkeqësi dhe politikat populiste e kanë këtë objektiv gjithmonë. Kur ata nuk kanë asgjë për të treguar, kur në programin e tyre nuk ka asgjë për t’u krenuar dhe nuk ka asnjë rezultat që mund të matet e që mund të tregohet. Nuk kanë asnjë storie të suksesit të tyre. Dëshirojnë që ta shlyejnë dhe të mos lejojnë që ta kujtojnë sesi ka ardhë vendi deri aty, dhe nga ata të fillojë çdo gjë. Politikat populiste janë entuziaste, ngritin shpresa të rrejshme, kthehen në situata kur çdo qytetarit i kthehen si shpëtimtarë, si profet në tokë dhe si zgjidhje e çdo problemit të tyre. Japin premtime për kërkesat e nevojat e qytetarëve, e në realitet nuk ka asnjë mbulesë në realizimin e tyre. Kosova sot qeverisët nga një filozofi populiste, mashtruese. Kosova ka rënë në kurthin e një politike mashtruese tash e dy vite, rezultatet e kësaj po i shohim, zhgënjimet kanë filluar dhe do të thellohen fatkeqësisht”, u shpreh kreu i Nismës.