Ministrja u përgjigjet nxënësve që nënshkruan peticion për ta anuluar provimin e maturës

Ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami e ftuar në nje emision ka dhënë detaje lidhur me organizimin e testit të maturës dhe peticionin që ka nisur online për anulimin e tij.

Bajrami ka sqaruar se në testin që do të mbahet këtë vit do të jenë 100 pyetje, derisa, ka thënë se do të kenë tri lëndë obligative dhe një lëndë zgjedhore që zgjidhet nga vetë nxënësit.

“Komisioni i përbërë nga ekspertët ka vendos që testi të jetë më i thjeshtë dhe i kompresuar, do të jenë 100 pyetje , janë tri lëndë obligative matematikë, gjuhë shqipe, angleze dhe një lëndë zgjedhore. I gjithë testi do të jetë në të njëjtën ditë në të njëjtën datë në të gjithë Kosovë. Do të shohim nëse do të jetë më i përshtatshëm ta mbajmë në universitete. Meqenëse duhet ta respektojmë distancën, mund të shfrytëzojmë edhe objektet e shkollave, për çështje të organizimit do t’i njoftojmë nxënësit gjatë këtij muaji. Javë e ardhshme do të mblidhet komisioni dhe do të vendosim për datën dhe detajet”, ka deklaruar ajo.

E njejta ka thënë se në test nuk do të përfshihen ato mësime që janë shpjeguar gjatë mësimit online.

“Do të zgjasë 150 minuta, kemi njoftuar hartuesit e pyetjeve, ekspertët që të mos përfshihen pyetje që kanë të bëjnë me përmbajtjen e mësimit në distancë, nuk do të përfshihet po mendoj që këtu kemi reflektu mjaft.

U bëj thirrje të gjithë nxënësit që kanë nënshkruar peticionin që ministra nuk ka asnjë interes tjetër përveç atij të nxënësve, ne kemi vlerësuar se interes i tyre është ti nënshtrohen testit, sepse nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhte do të ishin pikërisht ata që do të penalizoheshin. Ka kohë mjaft, e kemi komplet qershorin dhe java e parë e korrikut”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se nxënësit kanë të drejtë t’i shfaqin mospajtimet, derisa ka komentuar peticionin që ka nisur online për anulimin e testit.

“Nga 200 pyetje i kemi bërë 100 është një provim paksa më i reduktuar, kemi qenë në kontakt me ministri të ndryshme dhe kemi ardhur në përfundim se kjo është mënyra e duhur. Unë mendoj që nxënësit kanë të drejtë ti shfaqin mospajtimet e tyre. Është edhe një dozë depresioni që po mbretëron në shoqëri, vetë recesioni ekonomik në të cilin gjendemi ndikon”, ka thënë ministrja në detyrë në Frontal.