Limaj në 17 vjetorin e lirimit të tij nga Haga, viziton Thaçin dhe të tjerët: Asnjëherë nuk e kam menduar që do të kthehem këtu

Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Fatmir Limaj ka vizituar ish krerët e UÇK në Hagë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.

Limaj ka shkruar se kurrë nuk do ta besonte se pas 17 vjetësh, pas lirimit të tij do të kthehej në vendin e njëjtë për të vizituar krerët e UÇK.

Ai ndër të tjera ka thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, prandaj epilogu i kësaj beteje nuk mund të jetë ndryshe pos fitore.

Shkrimi i plotë:

Emocion i veçantë që pikërisht në 17-vjetorin e lirimit tim nga Tribunali i Hagës t’i vizitoj bashkëluftëtarët e mi që ndodhen në objektin pas meje. Asnjëherë nuk e kam menduar që do të kthehem këtu për t’i vizituar krerët e UÇK-së, sepse kam qenë i bindur që jam luftëtari i fundit që futëm këtu dhe që dal nga kjo ndërtese.

Bashkëluftëtarët të cilët do t’i vizitoj sot e kanë të qartë që aty nuk janë për çështje personale, por për të zhvilluar betjën e fundit për pavarësinë e Kosovës. Një betejë ndryshe, me mjete të tjera, me mjete ligjore!

Ata janë të vetëdishëm që kjo betejë është për historinë e Kosovës. Pikërisht, këtu po tentohet përmbysja e historisë së lavdishme të kombit tonë, jo vetëm për ne që sot jetojmë, por për gjeneratat që do të vijnë edhe pas 100 viteve.

Kështu që, beteja në Hagë nuk është betejë personale as e Hashim Thaçit, as e Jakup Krasniqit, as e Kadri Veselit, as e Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por përmes tyre, është betejë për Kosovën!

Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, prandaj epilogu i kësaj beteje nuk mund të jetë ndryshe pos fitore!
Fatmir Limaj