Osmani: Sulmet e vazhdueshme kurrë s’e ndalën familjen Jashari, vetëm e motivuan për rezistencë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur në seancën solemne të Kuvendit për nder të epopesë së UÇK-së që shënon sulmin e fundit mbi familjen Jashari në Prekaz.

Osmani në këtë seancë tha se Adem Jashari në fillim të viteve të 90-ta u përball me një regjim të egër të Serbisë, mirëpo që kjo sipas saj vetëm i motivoi më shumë për rezistencë.

“Sot e përkujtojmë veprën heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij. Në fillim të viteve të 90-ta, Adem Jashari u përball me një regjim të egër, ai dhe familja e tij e dinte se makineria serbe e synonte shfarosjen tonë. Ai së bashku me anëtarët tjerë të familjes ishin mësuar të jetonin në kërcënimin e vazhdueshëm dhe rrethime e sulme të vazhdueshme. Kjo vetëm e kishte motivuar më shumë për rezistenë”, tha ajo.

Osmani tha se sakrifica e familjes Jashari ia shpalosi botës demokratike pamjet e regjimit të serbëve.

Kryetarja e Kuvendit shtoi se beteja e Jasharajve u shndërrua në inspirim për shumë të ri e të reja në Kosovë.

“As Adem Jasharit dhe familjes së tij nuk i shkonte mendja të dorëzoheshin. Heroizimi dhe sakrifica e kësaj familjeje ia shpalosi botës demokratike pamjet e regjimit totalitar serb. Ngjarjet e 5,6,7 marsit i dhanë vulë solidaritetit mes njerëzve që kish nisur me lëvizjen për pajtimin e gjaqeve dhe lëvizjeve për liri. Nuk është e rëndësishme që në fillim të atij marsi, secili ishte Ademi dhe ishte i gatshëm të sakrifikonte për liri. Beteja e Jasharajve u shndërrua në inspirim për shumë të rinj e të reja. Sot ne u falemi atyre, sot ne jemi këtu për ta nderuar kujtimin për secilin veç e veç”, tha Osmani.