Liqeni i zhdukur i Kosovës bashkë me ishullin

Lumi i Nerodimës përmendet shpesh si një nga elementet më unike që përmban gjeografia e vogël e Kosovës. Prurjet e pakta të këtij lumi nuk e pengojnë atë që të renditet në mesin e lumenjve të rrallë që derdhen në dy dete.

Ky lumë krahasohet me kanalin Casiquaire të lumit Orinoko në Venezuelë, Divide Creek në Kanada e lumin Hase në Gjermani. Duke qenë kuriozitet hidrologjik, si “lidhje” mes Egjeut dhe Detit të Zi, bifurkacioni i Nerodimes ishte objekti i parë hidrologjik në ish-Jugosllavi, që do të vihej nën mbrojtjen e shtetit, shkruan sot Koha Ditore.

Prej burimit në Bjeshkët e Jezercës sipër fshatit Nerodime, ky lumë në afërsi të Ferizajt bigëzohet në dy rrjedha. Pjesa më e madhe e ujit të tij rrjedh kah jugu, kurse në afërsi të Kaçanikut derdhet në Lepenc, që i takon pellgut të Detit Egje. Pjesa tjetër e lumit vijon në drejtim të veriut, ku duke u bashkuar me përrenj nga malet e Zhegocit, formon lumin Sazli, i cili bashkë me lumin e Shtimjes formon Sitnicën e kështu të bashkuar derdhen në pellgun e Detit të Zi.

Por bifurkacioni i lumit Nerodime ka një histori krejt të panjohur pas vetes. Prej kohësh, disa studiues kanë tërhequr vëmendjen se bifurkacioni është bërë artificialisht nga dora e njeriut. Për një sy të pastërvitur, fshatrat e sotme Lloshkobare, Prelez, Sazli e Murakovë (ish-Surçinë) janë veçse disa vendbanime të rëndomta jo larg Ferizajt. Sot është zor të përkapet një peizazh thuajse i ndryshëm i këtyre vendbanimeve para shtatë shekujve. “Ky fenomen i rrallë gjeografik (bifurkacioni) – megjithëse konsiderohet se është bërë para më se gjashtë shekujsh në mënyrë artificiale, vërtet në ‘predispozicion natyror’, tërheq vëmendje të madhe të shkencëtarëve”, shkruante Dragan Qukiq, autor i librit “Kosova: monumentet dhe bukuritë”, i botuar nga Lidhja Turistike e Kosovës qysh më 1971. Dëshmitë e pakta historike flasin se në fshatin Surçinë (sot Murakovë) ndodhej një liqen artificial i krijuar nga dora e njeriut.