Lirimi nga pagesat dhe forma e ligjëratave, UP del me sqarim për studentët

Universiteti i Prishtinës ka dalë me një sqarim për raportimet e djeshme se është arritur marrëveshje që nga semestri i dytë ligjëratat të mbahen fizikisht, si dhe të hiqet pagesa për nivelin bachelor.

Me anë të një komunikate për media, UP ka thënë se deri tash s’kanë pranuar ndonjë shkresë zyrtare nga ana e institucioneve përgjegjëse për ndryshim të organizimit mësimor në UP.

Po ashtu, ata kanë thënë se nuk ka vendim zyrtar për ndryshim të vlerës së pagesave.

Komunikata e plotë:

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton studentët, stafin akademik dhe administrativ, si dhe palët e interesuara që deri me tani nuk kemi pranuar ndonjë shkresë zyrtare nga instancat përgjegjëse për ndryshim të organizimit të procesit mësimor në UP, në rrethanat e pandemisë Covid-19. Njëherësh, në adresën e UP-së nuk është përcjellë ndonjë vendim zyrtar për ndryshim të vlerës së pagesave për studentët tanë.

Me anë të këtij sqarimi, UP-ja ju informon që deri në pranimin e vendimeve zyrtare nga organet kompetente, do të vazhdojmë implementimin e vendimeve në fuqi.