Thaçi para ushtarëve të Kosovës: E gëzofshim lirinë – tani po punojmë për anëtarësim në NATO dhe BE (foto)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në parakalimin e ushtarëve të FSK-së në 20 vjetorin e çlirimit ka thënë se vendi këto ditë po shënon një moment historik.

“Këto ditë po shënojmë 20 vjetorin e lirisë. Sot kujtojmë të gjithë dëshmorët e lirisë, luftëtarët trima të UÇK-së, kujtojmë me nderime dhe respekt komandantin legjendar, Adem Jashari dhe sakrificën e çdo qytetari të Kosovës që kudo që jetonin ishin shndërruar në çlirimtarë të Kosovës”.

“20 vjetët e lirisë dhe paqes shënojnë kthimin e një milion qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre. Të nderuar ushtarë, nga aspirata dhe angazhimi i popullit për liri keni lindur edhe ju”, iu ka drejtuar Thaçi ushtarëve të FSK-së, si komandat suprem i ushtrisë.

Në fjalimin e tij përveç së kaluarës, Presidenti ka folur edhe për të ardhmen dhe aspiratat e vendit.

“Kemi arritur shumë në këto 20 vjet dhe kemi pasur sfida jo të lehta. Kemi ndërtuar institucione dhe kemi rindërtuar shoqërinë. Kemi konfirmuar aspiratën tonë të re, pas realizmit të aspiratës për liri dhe shtet sovran. Tani po punojmë për anëtarësim në NATO dhe BE. Rruga jonë nuk do të jetë e lehtë por është e sigurt”.

“Duhet të përmbyllin reformat dhe konsolidimin e shtetit duke u anëtarësuar edhe në OKB. Po punojmë edhe për marrëveshje finale me Serbinë. Të nderuar ushtarë, dëshirojmë të mbyllim kapitujt e konflikteve të shekujve të kaluar dhe të hapim atë të jetës në liri, barazi dhe jetës në prosperitet. E gëzofshim lirinë!”.