Lista “Guxo” në Ferizaj i reagon Donika Gërvallës: Jemi ndarë me Vetëvendosjen, garojmë të vetëm

Pas deklaratës së ushtrues së detyrës së listës ‘Guxo’ Donika Gërvalla, se do të garojnë në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend, ka reaguar sërish dega e kësaj liste në Ferizaj.

Balton Dërguti koordinator nga lista ‘Guxo’ ka ripërsëritur se do të garojnë si subjekt i veçantë për Asmablenë Komunale, derisa thotë se e kanë lënë të hapur mundësinë për kandidatin për kryetar të Komunës së Ferizajt.

“Lista Guxo në Ferizaj me qëllim të informimit të drejtë , të saktë dhe sqarimit të opinionit publik, e rikonfirmojmë se me datën: 3 Korrik 2021 është marrë vendim që të garojmë si subjekt i veçantë në zgjedhjet lokale për Asamblenë Komunale. Procedurat e regjistrimit si iniciativë janë tashmë në proces sikurse edhe përgatitjet teknike.

Ne do të garojmë me 45 kandidatë për Asamblenë Komunale dhe kandidatin për Kryetar të Komunës e kemi lënë të hapur si mundësi”, ka thënë Dërguti në një deklaratë.

Ai ka theksuar se lista ‘Guxo’ nuk do të shkrihet brenda LVV-së, dhe se ky nuk ka qenë premtimi që i kanë dhënë elektoratit.

“Por, në asnjë moment ne nuk jemi zotuar para elekroratit se do të shkrihemi brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo cilit do subjekt politik, përkundrazi i kemi premtuar elektoratit se do të formojmë subjektin tonë politik dhe do ta vazhdojmë aktivitetin tonë politik si subjekt në vete .

Prandaj, vendimi ynë është përmbushje e premtimit tonë ndaj elektoratit për ta vazhduar frymën rugoviane dhe angazhimi ynë do të jetë gjithmonë në përkrahje të personaliteve politike, të cilët ja duan dhe punojnë për të mirën e shtetit”, ka thënë ai.

Dërguti ka shtuar se shumë shpejtë do ta publikojnë listën me 45 kandidatë.

Kujtojmë së ministrja e Punëve të Jashtme, njëherësh ushtrese e detyrës së kryetares së listës ‘Guxo’, ka thënë se askush nuk ka të drejtë që në emër të Listës ‘Guxo\, të mbledhë vota me destinacion tjetër.