Lista Serbe ankohet në PZAP

Pasi dështoi që të certifikohet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, Lista Serbe ka bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Këtë e kanë bërë të ditur burime mirë të informuara të Gazetës Blic të cilat kanë thënë se kjo ankesë në këtë panel ka ardhur pas dështimit të certifikimit të kësaj partie për zgjedhjet 19 majit.

Deri tek mos ky certifikim i Listës Serbe ka ardhur si shkak i abstenimit të dy anëtarëve të VV-së në Komisionin Qendror Zgjedhor.

E për këtë gjatë ditës ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe shefi i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq i cili edhe e quajti Lëvizjen Vetëvendosje shoviniste e fashiste
teksa, presidenti serb nga Kina tha se është i tronditur “nga arroganca” e Prishtinës.

Këtë reagim presidenti serb e bëri pas një vendimi nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, e cila ende nuk ka konfirmuar kandidatët e Listës Serbe për kryetarë të katër komunave në veri.

“Duhet të them se nuk e kuptoj … Kam respektuar gjithmonë kancelaren Angela Merkel dhe presidentin Emmanuel Macron. Unë jam i sigurt se ata janë më të zgjuar se unë dhe do të mendojnë diçka. Në këtë moment nuk e kuptoj se si dhe për çfarë duhet biseduar me Prishtinën”, tha Vuçiq në Pekin, kur u pyet nëse Prishtina me veprimin e fundit ka dëmtuar takimin e ardhshëm në Berlin.

Vuçiq tha se fakti që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ende nuk i ka konfirmuar kandidatët nga Lista Serbe – në zgjedhjet lokale për kryetarët e katër komunave serbe në veri të Kosovës – përfaqësonin “heqjen e demokracisë, që askush në tjetër në botë nuk ka reaguar”.

Menjëherë pas këtyre deklaratave të zyrtarëve serbë, ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca.

Duke komentuar deklaratat se VV është shoviniste, Konjufca ua ktheu në të njëjtën mënyrë duke shtuar se “e shefat e Listës Srpska që e mohojnë gjenocidin në Kosovë janë të tillë.

“Ata dhe shefat e tyre në Beograd që e mohojnë gjenocidin në Kosovë dhe vazhdojnë ta kolonizojnë Kosovën me projekte si ‘Kodra e Diellit’ në pjesën e veriut te Mitrovicës – janë të vetmit që e meritojnë mbiemrin ‘fashist’ e ‘shovinist’”, ka shkruar Konjufca.

Shefi i GP të VV’së thotë se pushteti në Serbi nuk dëshiron të ketë fqinjësi të mirë, duke përmendur linçimin që u bëhet serbëve të Kosovës që nuk janë në linjë me Vuciqin dhe e njohin Kosovën shtet.

“Populli i Kosovës dëshiron paqe, zhvillim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë. Por pushtetarët serbë në Beograd dhe krijesat e tyre në Kosovë nuk e ndajnë të njëjtin vizion. Ata madje shajnë dhe kërcënojnë politikanët serbë të Kosovës që e njohin Kosovën. Përpjekja e tyre është që të hegjemonizojnë çdo serb të Kosovës, dhe kushdo që nuk pajtohet me linjën e Vuçiqit, e denoncojnë si tradhtar. Prandaj trysnia duhet të shkojë mbi qeveritarët serbë e jo mbi shtetin dhe popullin tonë i cili nuk do gjë tjetër përpos që të jetojë në paqe me të tjerët, rehat me veten, dhe ku sundon drejtësia e i hapet rrugë zhvillimit”, ka përfunduar Konjufca shkrimin e tij në Facebook./Gazeta Blic