Lista Serbe dorëzon në KQZ listën e kandidatëve për deputetë

Lista Serbe ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listën me emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit, raporton Ekonomia Online.

Krejt kjo pas konsultimeve me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Mark Gjuriq.

Partitë e mëdha në vend ende nuk i kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për deputetë në KQZ.

Sot është afati i fundit për dorëzimin e listave, përderisa shumica e partive politike i kanë mbledhur këshillat e përgjithshme për të diskutuar dhe përpiluar listat zgjedhore.

Fushata zgjedhore pritet të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor, ndërsa zgjedhjet mbahen më 6 tetor. Organizimi i këtyre zgjedhjeve buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë rreth 6 milionë euro.

Në zgjedhjet e 6 tetorit sipas listës preliminare të drejtë vote kanë 1 972 466 votues. Kurse 33 791 emra janë larguar nga lista votuese pasi që kanë vdekur ose kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.