Listës Serbe s’mund t’i hiqen mëditjet për qëndrimet e shkurta në Kuvend

Veç tri herë u panë në Kuvend, deputetët e rinj të Listës Serbe. Dhe atë, për pak minuta.

Hera e fundit qe më 14 shtator, kur u nënshkruan dhe dolën pas pak minutave, sa për t’i shpëtuar mandatet, që sipas rregullores, humbasin pas mungesës gjashtëmujore.

Kësaj radhe, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk reagoi sikur më 6 prill, kur ua hoqi mëditjet për shkak të qëndrimit të shkurtë, njofton Klan Kosova.

Një gjë të tillë, tash nuk ia lejon rregullorja e re, pasi monitoruesi Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se mëditja për seanca tashmë nuk ekziston.

Nga Kuvendi e konfirmuan se janë marrë masat sanksionuese ndaj tyre, pa treguar më shumë detaje.

Jakaj thotë se Kushtetuta dhe rregullorja ua mundësojnë atyre ta përdorin bojkotin në kuvend, dhe s’mund të dënohen.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, nuk pajtohet me sjelljen politike të përfaqësuesve të komunitetit serb, që e quan destruktive ndaj rendit të institucioneve.

Ky thotë se, pas sulmit terrorist në veri, qasja e Listës Serbe do të ashpërsohet ende.

Këta deputetë u betuan më 17 nëntor të vitit të kaluar, për t’i zëvendësuar paraardhësit që dhanë dorëheqje bashkë me të gjithë zyrtarët tjerë serbë publikë.