Lladrovci: Beteja e Grykës së Llapushnikut, UÇK-në e bëri faktor vendimtar për fatin e ardhshëm të Kosovës

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mori pjesë në përvjetorin e shënimit të Betejës së Llapushnikut, ku para auditorit mbajti fjalë rasti, ku theksoi se Gryka e Llapushnikut do të bëhet arenë luftimesh dhe betejash të fuqishme.

Madje, ka cekur Lladrovci, Gryka do të jetë edhe në qendër të vëmendjes e mediave botërore dhe qendrave ndërkombëtare të vendosjes. UÇK u bë faktor vendimtar për fatin e ardhshëm të Kosovës

Para 25 vitesh, vlerat e Bashkimit Evropian, mbroheshin në Ditën e Evropës, në Grykën e Llapushnikut, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë:

Me rastin e shënimit të përvjetorit të Betejës së Llapushnikut, mbajta fjalë rasti ku mes tjerash theksova:

Sot po përkujtojmë një nga Betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atë të mbylljes të Grykës së Llapushnikut. Përmasat e luftimeve frontale në Llapushnik, bënë jehonë dhe rritën besimin e popullatës në forcën e UÇK-së, duke iu përgjigjur me mobilizim masiv. Në atë kohë, Beteja e Grykës së Llapushnikut ishte sfida më e madhe dhe më sprovuese në përballje me forcat pushtuese serbe.

Në istikamet e mbrojtjes të Grykës së Llapushnikut, u gjenden shumë heronj e dëshmorë të kombit si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Shaban Shala, Rasim Kiçina, Bekim Berisha – Abeja, Imer Krasniqi, Ymer Alushani, Ali Zogaj, Gani Elshani, Sokol Elshani, Sami Bogiqi, Besim Halilaj dhe shumë luftëtarë e vullnetarë nga Drenica me zonat tjera të UÇK-së.

Thyerja vendimtare e forcave serbe ndodhi më 9 maj 1998 me mbylljen për qarkullim të aksit rrugor Prishtinë-Pejë, për tre muaj rresht. Gryka e Llapushnikut do të bëhet arenë luftimesh dhe betejash të fuqishme. Madje, Gryka do të jetë edhe në qendër të vëmendjes e mediave botërore dhe qendrave ndërkombëtare të vendosjes. UÇK u bë faktor vendimtar për fatin e ardhshëm të Kosovës.

Para 25 vitesh, vlerat e Bashkimit Evropian, mbroheshin në Ditën e Evropës, në Grykën e Llapushnikut. UÇK-ja ishte vlera më sublime evropiane, përball sulmit gjenocidal serb që pas disa muajve do të përdorte forcën e NATO-s në përkrahje të Kosovës dhe popullit të saj.

Sot kur e kujtojmë këtë betejë heroike, kujtojmë Komandantin legjendar Adem Jasharin dhe shprehim tërë nderimin tonë për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë. Sot, po ashtu, nderojmë heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të tjerët që padrejtësisht janë në Hagë.

Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve që Grykën e Llapushnikut e bënë kala qëndrese!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!