Lumir Abdixhiku uron Distria Krasniqin për fitoren e medaljes së artë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar fituesen e medaljes së artë, Distria Krasniqin, në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Abdixhiku përmes një postimi në Facebook ka thënë se Distria e ka hapur rrugën e medaljeve në këtë olimpiadë, për të vazhduar me Majlindën, Akilin, Norën, Lorjanën, Egzonin, Donjetën, Drilonin, Musën, Edën e Oltin.

Ai po ashtu është shprehur se ndihet krenar me këta sportistë.

“Medalja e parë në këtë Olimpiadë – që në ditën e parë – dhe atë e artë. Është Distria e artë! Toni Kuka ja del sërish; një mjeshtër i madh!
Sportistët tanë, të rinjtë e të rejat tona, mbesin ambasadorët më të denjë të Republikës. Janë pasuria më e madhe e vendit tonë. Na mbajnë faqebardhë e na bëjnë zemrat mal me çdo paraqitje gjithandej nëpër botë”.

“Janë inspirim i vërtetë për plot të tjerë që një ditë ëndërrojnë ta bëjnë krenar një komb të tërë. Distria e hapi rrugën e medaljeve në ‘Tokyo 2020’ sot. Le ta vazhdojnë Majlinda, Akili, Nora, Lorjana, Egzoni, Donjeta, Driloni, Musa, Eda e Olti!”, ka shkruar Abdixhiku.