LVV për deklaratën e Bahtirit për vëllavrasje: Nuk kemi nevojë për asnjë konflikt

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri sot në një deklaratë të tij dhënë për RTV Dukagjini, tha se në rast se formohet një qeveri e re pa shkuarje në zgjedhje do të ketë vëllavrasje.

Bahtiri i ka bërë apel presidentit Hashim Thaçi që të ketë kujdes dhe t’i shpallë zgjedhjet.

Lidhur me këtë deklaratë tij, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk kemi nevojë për asnjë konflikt.

Zëdhënësi për media i LVV, Arlind Manxhuka ka thënë për Telegrafin, se pas kalimit të pandemisë së coronavirusit, në përputhje me Kushtetutën do të shkohet në zgjedhje.

“Aktualisht jemi duke u marr në mënyrë të plotë me Pandeminë Covid19 dhe posa ky virus të largohet e të rikthehet normaliteti, në përputhje me Kushtetutën të shkohet në zgjedhje të reja siç kemi deklaruar edhe ditë më parë. Nuk kemi nevojë për asnjë konflikt, së bashku me qytetarët e vendit, me disiplinën tonë të përbashkët, do ta kalojmë edhe pandeminë edhe secilin problem tjetër”, ka thënë Manxhuka.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur pas rrëzimit të Qeverisë.