Marko Gjuriq reagon për dënimin: Ne të gjithë jemi ‘Ivan Todosijeviqa’

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka reaguar pas vendimit për dënimin me dy vjet burgim të ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Sipas tij, gjyqësori i Prishtinës zyrtarisht ka pezulluar të gjitha të drejtat e popullit serb në Kosovë për lirinë e mendimit dhe të fjalës.

“Ne jemi të gjithë Ivan Todosijeviqa,” tha Gjuriq në një deklaratë me shkrim dërguar mediave, transmeton Klan Kosova.

Ish-ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq u shpall fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Lidhur me këtë, ai akuzohej për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.