MASHT nuk arrin të sigurojë zhurmuesit e valëve as në afatin e dytë të testit të maturës

Mbi 10 mijë maturantë nesër do t’i nënshtrohen afatit të dytë të provimit shtetëror të maturës, të cilët do të kenë pjesën e parë të testimit, ndërsa pjesën e dytë do ta kenë me 7 shtator.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë qysh në afatin e parë kishte paralajmëruar se në të gjitha qendrat e testimit do të vendoseshin zhurmues të valëve, si mënyrë për të parandaluar kopjimin. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ishte realizuar, e zhurmuesit nuk janë siguruar as për afatin e dytë të provimit shtetëror të maturës.

Kryetari i komisionit shtetëror të maturës, Fehmi Hysenaj, për KosovaPress, thotë se nuk kanë arritur të sigurojnë zhurmuesit, por që sipas tij, kanë ndërmarrë veprime të tjera për të parandaluar kopjimin.

Përkundër kësaj, Hysenaj thotë se si ministri i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që të ketë një mbarëvajtje sa më të mirë të testimit.

Për dallim nga afati i parë ku testimi është mbajtur në katër regjione dhe në ditë të ndryshme, këtë herë Hysenaj thotë se për shkak të numrit më të vogël të nxënësve, testimi do të organizohet në të njëjtën ditë në të gjithë vendit.

Maturantët në ditën e parë të testimit do të kenë pyetje nga lëndët gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze, ndërsa në pjesën e dytë të provimit do të kenë pyetje nga lëndët matematikë dhe lëndën zgjedhore.

Për mbarëvajtje sa më të mirë të testimit, Hysenaj thotë se kanë angazhuar më shumë se 100 mbikëqyrës në 101 qendra të testimit.

Ai thotë se nuk do të tolerohet asnjë nxënës që ditën e testimit tenton të kopjojë.

Provimit Shtetëror të Maturës do t’i nënshtrohen 10 mijë e 15 nxënës