MASHT pa vendim për 1 shtator (VIDEO)

Shkollat po bëhen gati për të nisur procesin e rregullt mësimor më 1 shtator.

Por, jo gjithçka është vendosur qind-për-qind, meqë kalendari vjetor ende nuk u është dorëzuar, edhe më konfuze situatën e ka bërë rritja e numrit të rasteve me COVID-19.

Në ministrinë e arsimit, thonë se kalendari shkollor është finalizuar dhe aktualisht gjendet në zyrën ligjore për shqyrtim e pastaj i njëjti do të publikohet.

Por, as në këtë dikaster qeveritar, që Klanit i ktheu përgjigje me shkrim nuk konfirmohet data 1 shtator, si punë e kryer, ani se është si datë referencë për fillimin e mësimit.

Sipas këtij institucioni për koordinim të fillimit të procesit mësimor shumë shpejt do të zhvillohet një takim koordinues me Drejtoritë komunale të arsimit.

Edhe krerët sindikalë, bëjnë me dije se bashkë me akterët të këtij dikasteri do të vendosin për fillimin e vitit të ri shkollor.

E që të mos rrezikohet procesi mësimor po kërkohet që mësimdhënësit të vaksinohen të gjithë edhe atë sa më parë.

Madje përveç mësuesve, infektologu Ilir Tolaj thotë se duhet të imunizohen edhe nxënësit.

E nëse procesi mësimor dështon të fillojë me kohë apo i rregullt prindërit fajtor për këtë lënë qeverinë e mësuesit.

Deri më tani janë rreth 18 mijë punëtorë të arsimit të vaksinuar, derisa numri i përgjithshëm i mësimdhënësve në nivel vendi është 24 mijë e 370.