Mbahet forumi i hapur në Vushtrri me temën: “Roli dhe rëndësia e mërgatës në zhvillim dhe bashkëpunim”

Në kuadër të aktiviteteve të projektit “Vushtrria për Mërgatën”, organizuar nga OJQ “Fodem” dhe me përkrahjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Vushtrrisë, u mbajt forumi i hapur me temën “Roli dhe rëndësia e mërgatës në zhvillim dhe bashkëpunim”, shkruan Fokusi.info.

Pjesë e panelit të këtij forumi ishin: Ferit Idrizi, Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, Arta Ismajli nga OJQ “Fodem”, Avni Alidemaj, profesor universitar, Raif Mehmeti, mërgimtar nga Suedia, Nazmi Jusufi, mërgimtar nga Holanda, si dhe Xhavit Mehmeti ,moderator i këtij forumi, kurse të pranishëm ishin edhe një pjesë e kosniderueshme e mërgimtarëve.

Gjatë debatit u potencua kontributi i mërgatës sonë në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova duke u ndalur tek roli i ndryshuar në favor të konsolidimit të Shtetit të Kosovës. Gjithashtu, është debatuar edhe për diplomacinë publike, Strategjinë për Diasporën, investimet në Kosovë dhe domosdoshmërinë e hartimit të politikave publike edhe në nivel komunal e që do të mundësonin maksimizimin e potencialit të mërgatës në sferën ekonomike por edhe në shkëmbimet kulturore. Ndër të tjera është diskutuar edhe për Ligjin për Diasporën dhe Ligjin për Investime të Huaja duke potencuar sfidat dhe zbrazëtirat e tyre./Fokusi.info.